Ahmetaj: Qytetarët po ndjejnë kthimin e ekonomisë në normalitet

08/09/2016 00:00

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, duke marrë fjalën e tij në Parlament ka deklaruar se, “akti normativ vjen në një peizash tejet të përmirësuar ekonomik, me një trajektore tejet pozitive rritëse në tre vjet rradhazi, 2014-2015-2016”.

“Këta nuk janë parametra të politizuar, janë parametra të çertifikuar nga insitucione ndërkombëtare dhe agjensi ndërkombëtare prestigjioze. Sot pa dyshim qytetarët po ndiejnë rikthimin në normalitetin e rritjes së ekonomisë shqiptare, pas një plage të gjatë, rënie, keqmenaxhimi, borxhesh të papaguara e të padeklaruara. Për herë të parë pas shumë vitesh, ekonomia po thyen tabunë e rritjes prej 3%”, ka deklaruar Ahmetaj.

Sipas tij, arsyeja e vetme për këtë ndryshim thelbësor është zbatimi rigoroz i reformave të thella që ka ndërmarrë maxhoraca në tre vitet e fundit.

“Kjo është një mazhorancë që do të krenohet për reformat e thella në financë, në sistemin e pensioneve, në sistemin e drejtësisë, apo në vendosjen e ligjit dhe të rendit. Këto janë arsyet e para, platforma ku rri dhe rritet ekonomia shqiptare”, ka thënë Ahmetaj.

Ai ka shtuar se ligji organik i buxhetit, që vendos për herë të parë rregullin fiskal, detyron çdo qeveri të mos e rrisë borxhin publik dhe ta ulë atë minimalisht çdo vit me 1% të Prodhimit të Brendshëm, për ta çuar në 43% të PBB.

“Po brenda këtij ligji, në një vit elektoral nuk mund të harxhohet me shumë se 55% e defiçitit në gjysmën e pare të vitit”, ka shtuar Ahmetaj.

Top Channel