US Open, eliminohet edhe Andy Murray

08/09/2016 00:00

Pas Rafael Nadal, edhe Andy Murray i thotë lamtumirën turneut të US Open. Kei Nishikori ishte ai që eliminoi kampionin olimpik nga ky aktivitet, teksa e mundi në një ndeshje epike të luajtur në 5 sete. Nishikori, që në US Open të vitit 2014 u bë i pari tenist aziatik që arrinte në finalen e një turneu Grand Slam, arriti të fitojë gejmin e 11 të setit të pestë me shërbimin e Murray, për të vulosur fitoren përfundimtare të takimit.

Në gjysmëfinale, Nishikori do të luajë kundër Stanislav Wawrinkës, me zviceranin që i dha fund rrugëtimit të Juan Martin Del Potros të rikthyer në fushat e lojës pas një dëmtimi. Wawrinka e fitoi sfidën ndaj argjentinasit me rezultatin 3-1 (7-6, 4-6, 6-3 dhe 6-2).

Në kampin e femrave, Serena Williams u kualifikua për në gjysmëfinale pasi eliminoi rumunen Halep. Numri 1 i botës, që kërkon titullin e 7 në karrierë në US Open,  këtë radhë hasi shumë vështirësi në përballjen e saj ndaj Halep, të cilën e mundi 2-1. Williams fitoi setin e parë 6-2, por Halep iu kundërpërgjigj në të dytin teksa e fitoi 6-4. Në setin final, ishte sërish amerikania ajo që u shfaq superiore ndaj rivales së saj, duke e mbyllur atë fraksion 6-3.

Top Channel