Notari amerikan pezullohet 10 muaj për mashtrim

08/09/2016 00:00

Ryan Lochte do të qëndrojë jashtë pishinave të notit për 10 muaj. Komiteti Olimpik Amerikan ka vendosur ta pezullojë për këtë afat kohor, fituesin e 12 medaljeve olimpike për shkak të skandalit në Rio De Janeiro muajin e kaluar, kur Lochte sajoi historinë e famshme të grabitjes.

Ky dënim do të thotë se 32-vjeçari nuk do të mund të marrë pjesë në kampionatin botëror të notit të vitit 2017 që do të zhvillohet në Budapest. Nuk  do i shpëtojnë ndëshkimit as notarët e tjerë James Feigen, Gunnar Bentz dhe Jack Conger të përfshirë në këtë skandal, por për këta të fundit koha e pezullimit është 4 muaj.

Notarët amerikanë, të udhëhequr nga Lochte, gjatë Lojërave Olimpike deklaruan se u bënë viktima të një grabitje me armë nga persona të veshur si policë në taksi në një pikë karburanti, ndërsa ishin duke u kthyer në Vilën Olimpike pas një feste.

Por problemet në dëshminë e tyre dhe një video që kishte regjistruar ngjarjen, bënë që policia të nisë hetimet nga ku rezultoi se ishin vetë notarët që kryen akte vandalizmi duke u përfshirë edhe në një përleshje me forcat e sigurisë.

Prokuroria ngriti akuza kundër Feigen e Lochte për dëshmi të rreme. Feigen arriti një marrëveshje me Gjykatën e Rios për të paguar një gjobë prej 10800 Dollarësh, ndërkohë që Lochte do të përballet me proces gjyqësor.

Top Channel