Blushi: Në 3 vjet qeveria varfëroi shqiptarët. Rilindja, frikë nga dija

08/09/2016 00:00

Deputeti Ben Blushi, duke marrë fjalën në seancën e sotme parlamentare ka akuzuar qeverinë se mashtron opinionin publik me shifrat e saj mbi rritjen ekonomike dhe efektet e saj.

“Nuk mund të shënohej më shëmtuar 3-vjetori i kësaj qeverie me këtë akt normativ. Ka ngelur dhe një vit nga skadimi i mandatit të kësaj qeverie dhe nuk kam shpresë se ky vit mund të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3 për qind, pasi është e papërfillshme për rritjen e mirëqënies sociale”, ka deklaruar Blushi.

Ai ka theksuar se, është koha për të bërë një bilanc se çfarë ka ndodhur në 3 vjet qeverisjeje të Rilindjes.

“Ku janë vendet e punës? A mund të thuhet për ju se në 3 vjet keni hapur një vend pune? Nëse është e vërtetë se keni mbajtur premtimin për 300 mijë vende, atëherë është e vërtetë se i keni hapur ato vende jashtë Shqipërisë, sepse janë më shumë shqiptarët që kanë ikur”, ka thënë Blushi.

“Ka apo s’ka varfëri në Shqipëri? Kjo është një temë ndaj të cilës Rilindja është alergjike. Sa shqiptarë sot fitojnë më shumë se nga dita kur ju keni ardhur në pushtet? Sa është fatura sociale në këto 3 vjet? Të gjithë treguesit janë të dhimbshëm, tregues të varfërisë që asnjë ditë s’e keni mbuluar siç duhet”, ka vijuar Blushi duke iu drejtuar ish-kolegëve të tij.

Më tej ai ka prekur edhe çështjen e maturantëve, duke kritikuar ministren Lindita Nikolla. “Në këtë seancë folën të gjithë ministrat për arsimin, veç ministres së Arsimit. Nuk e lanë sepse kanë frikë mos bënte ndonjë gafë”, ka thënë Blushi.

Sipas tij, “fëmijët e Shqipërisë nuk shkojnë në shkollë për shkak të dijes, por për shkak të aplikimit”.

“Ata që kanë arritur rezultate shumë të mira apo të mira penalizohen sepse Rilindja ka ndryshuar praktikën e pranimit. Kur bota bën që sa më shumë të rinj të futen nëpër shkolla, qeveria jonë punon që të futen sa më pak. Kjo, sepse Rilindja të penalizon për atë që ti di dhe të do për atë që t’i dukesh”, ka thënë Blushi.

Ai ka kritikuar edhe kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij flet për gjithçka, “por jo për ekonominë, papunësinë dhe varfërinë”.

Berisha: Ministrja e Arsimit të japë dorëheqjen

Sali Berisha, deputet i Partisë Demokratike, deklaroi në seancën plenare të së enjtes se “pseudoreforma në arsim ka lënë mijëra gjimnazistë jashtë universiteteve”.

“Kriteret u bënë poshtërsisht pasi maturantët kishin bërë zgjedhjet. Juve ju kujtohet si Edi Rama nga tribuna sulmonte arsimin privat, thoshte do të bëjë këtë e atë. Unë isha nxitësi i arsimit privat dhe i qëndroj, por i atij arsimi që do të merrte vetëm ata që s’plotësonin asnjë kriter për universitetet publike. Çfarë bëri Edvini?”, u shpreh ish-kryeministri.

“Kërkoj krijimin në mënyrë urgjente të një komisioni dhe vendosjen e preferencës në vendin që meriton. S’ka më keq se t’u zësh pritë të rinjve. Ministrja të konsiderojë dorëheqjen imediate dhe të bëhet procesi nga e para”, shtoi Berisha.

Duke iu referuar deklaratës së ambasadorit amerikan Donald Lu sa i takon krimit të organizuar në vend, Berisha tha se “këtu Al Kaponia është kryeministër, që përdor fuqinë e ekzekutivit për të fuqizuar krimin”.

Braçe: Berisha, interesa direkte në sektorin e arsimit privat

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha lidhur me problemin e maturantëve, duke i cilësuar ato një farsë.

Duke marrë fjalën në seancën plenare, Braçe ka deklaruar se, reagimi i Berishës ka të bëjë me mbrojtjen e interesave të tij financiare në sektorin e arsimit privat.

“Berisha flet për interesat e tij në biznesin e universitetit privat. Sali Berishës nuk i besohet”, ka thënë Braçe.

Megjithatë, deputeti i majtë ka kërkuar angazhim maksimal nga qeveria, Ministria e Arsimit dhe rektori i zgjedhur për zgjidhjen e situatës.

“Por është e turpshme që Berisha të vijë këtu dhe të ngrejë këtë problem, ashtu sikurse bëri dje Lulzim Basha, në Facebook nga Dibra”, ka vijuar Braçe.

Deputeti socialist u është përgjigjur edhe akuzave të ish-kryeministrit sa i takon “Al Kapones”, siç i cilësoi një ditë më parë ambasadori amerikan bosët shqiptarë të krimit.

“Sa për deklaratën e ambasadorit për Al Kaponen kam një pyetje, përse kryeministri i djeshëm në 8 vjet nuk e arrestoi?”, është shprehur Braçe.

Ai ka shtuar se, “gjatë qeverisjes së tij Berisha ka punuar vetëm për të përçarë shqipërinë dhe shqiptarët”.

Top Channel