Takimi i Avokatëve të Popullit, miratohet Deklarata për emigracionin

08/09/2016 00:00

Konferenca që për dy ditë mblodhi në Tiranë ombudsmanë nga e gjithë bota u përmbyll me “Deklaratën e Tiranës për Migracionin”, që do të përbëjë zërin e të drejtave të emigrantëve në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

“Si mund të jemi ne Ombudsmanët më efikasë përballë fenomenesh të tillë transnacionalë, kur kemi vetëm kompetenca territoriale. Gjëja e parë që të shkon në mendje është të gjesh aleatë që të përballesh me krizën, sepse vetëm është e pamundur”, deklaroi Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Ndërsa kreu i Parlamentit, Ilir Meta solli në kujtesë flukset migratore të pasviteve ‘90 në Shqipëri, kur tha se vendi ynë nuk beson në ngritjen e mureve.

“Çdo shtet ka detyrimin t’iu ofrojë ndihmë humanitare njerëzve në nevojë. Edhe Shqipëria ka dhënë kontributin e saj dhe është e gatshme ta ofrojë atë në vazhdim, brenda mundësive të saj”, deklaroi Meta.

“Shqipëria ende nuk është e prekur nga kriza aktuale e refugjatëve, por qeveria shqiptare në partneritet me vendet e BE-së është e angazhuar për marrjen e masave paraprake që ndikojnë drejtpërsëdrejti në respektimin e të drejtave të emigrantëve”, tha më tej zv.kryeministri Niko Peleshi.

Top Channel