Koka prezanton projektin për lagunën Kune-Vain

08/09/2016 00:00

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka prezantoi këtë të enjte në Lezhë projektin “Ndërtimi për Rekuperimin e Lagunës Kune-Vain”.

Në fjalën e tij, Koka nënvizoi se ky projekt ka një rëndësi të veçantë sa i takon reduktimit të efekteve të ndryshimeve të klimës, pikërisht në një nga zonat më të prekura në vend, Kune-Vain.

“Realiteti në ekosistemin e lagunës është përkeqësuar. Dora e njeriut, erozioni, por edhe efektet e ndryshimeve klimatike kanë ndikuar në këtë përkeqësim. Projekti për këtë lagunë do të jetë një kontribut i drejtëpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës”, deklaroi Koka.

Ministri i bëri thirrje komunitetit lokal që të bashkëpunojë ngushtë në projekt, duke qenë se ai përbën një përfitim direkt për ta.

“Bashkëpunimi dhe mbështetja e pushtetit vendor jam i bindur se do të vazhdojë të jetë, sikurse ka qenë deri tani”, tha mes të tjerash Koka.

Ai saktësoi më tej se projekti kushton 20 milionë dollarë, një financim i GEF, UNEP dhe Ministrisë së Mjedisit dhe zbatimi i tij do të kërkojë 36 muaj.

Top Channel