Fillon Superliga, fiton Skëndërbeu dhe Partizani, Tirana barazon

07/09/2016 00:00

Skënderbeu e nis në mënyrën më të mirë të mundshme mbrojtjen e titullit kampion. Skuadra korçare mundi Flamurtarin në Korçë me rezultatin 2-1 ku protagonist absolut u bë Hamdi Salihi.

Sulmuesi shkodran në minutën e 17 pati mundësinë që të shënojë nga pika e bardhë e penalltisë, por portieri i skuadrës vlonjate e ndali. Pak minuta më vonë, Salihi e korrigjoi gabimin e tij duke shënuar një gol me kokë për t’i dhënë Skënderbeut kryesimin e ndeshjes.

Flamurtari barazoi rezultatin me anë të Shkodrës vetëm pak minuta nga fundi i pjesës së parë.

Në 45 minutat e dyta arbitri akordoi një tjetër 11-metërsh për kampionët e vendit. Salihi e mori sërish përsipër ekzekutimin e saj dhe këtë herë ai nuk gaboi, por shënoi golin që i dha 3 pikët skuadrës së tij.

Partizani mori një fitore të vuajtur ndaj Luftëtarit që u rikthye në Kategorinë Superiore pas 4 sezonesh. Fati i takimit për të kuqtë u vendos në minutat e fundit të ndeshjes, kur arbitri dha një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Batha.

Në dy ndeshjet e tjera të Kategorisë Superiore, Teuta-Tirana dhe Korabi-Laçi, përfunduan në barazimin pa gola 0-0, ndërkohë që kuadri i javës së parë do të plotësohet me sfidën Vllaznia-Kukësi që do të luhet ditën e enjte në “Loro Boriçi”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel