Eurobasket 2017, tjetër humbje për Kosovën

07/09/2016 00:00

Kosova pësoi edhe disfatën e tretë në ndeshjet kualifikuese për Eurobasket 2017, dhe tash gjasat që të jemi  të tretit në grup janë minimale.

Bullgaria fitoi me rezultat 105:84, duke dëshmuar edhe njëherë se përgatitja fizike e kosovare nuk ishte në nivel të lartë e kjo u vu re në humbje të thellë prej -21 pikëve, edhe pse realisht bullgarët nuk janë aq cilësor sa Sllovenia dhe Ukraina që të triumfojnë aq lehtë.

Në fakt, Kosova pati dy fytyra në këtë ndeshje sepse pjesën e parë e përmbylli me barazim 40:40, por periudha e tretë ishte vendimtare dhe aty u thye ndeshja në të mirë të bullgarëve që në këtë pjesë të lojës shënuan 32 pikë e pranuan vetëm 16, prandaj më nuk kishte Kosova as kohë e as forcë që të rikthehet.

Më efikasit te fituesit ishin Aleksandar Georgiev me 28 pikë, Demarquis Bost shënoi 18, kurse Hristo Zahariev 15.

Te Kosova u dalluan Dardan Berisha me 18 pikë, Justin Dollman me 16, dhe Fisnik Rugova me 13.

Ndeshja e katërt e fazës së grupeve zhvillohet të shtunën në Mitrovicë, ku Kosova e pret favoritin dhe skuadrën e fuqishme Slloveninë, ndërsa edhe kjo ndeshje transmetohet direkt në Supersport nga ora 20:00.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel