“Skënderbej” rëndon trafikun. Bllokohet sheshi, punimet zgjasin 12 muaj

07/09/2016 00:00

Java ka hyrë e rënduar për trafikun e Tiranës. Të udhëtosh me makinë në kryeqytet, sidomos në ditë me shi, është një “mision i pamundur”. Por duket se tashmë ka edhe një arsye tjetër: nisja e punimeve në sheshin Skëndërbej.

Kamera e Top Channel ka përshkuar me automjet rrugët e Tiranës, duke konstatuar vonesat që shkaktohen. Në çdo segment rrugor, automjetet qëndrojnë të palëvizura për minuta të tëra, ndoshta edhe për orë.

Kaosit i bashkohen edhe mjetet e transportit urban, por nga kjo e mërkurë mbyllja e një pjese të sheshit “Skënderbej” dhe devijimi i trafikut duket se do ta rëndojë edhe më shumë situatën dhe së paku në ditën e parë ka sjellë shumë kaos.

“Unë nuk do ta quaja kaos. Besoj se është vetëm dita e parë e bllokimit të një pjesë të sheshit Skënderbej. Ka patur trafik sepse duhet koha e nveojshme që qytetarët të përshtaten me idenë se sheshi Skënderbej s’do jetë më i kalueshëm. Por situatën e rëndon edhe mos përfundimi i unazës së vogël”, deklaron Enton Punavija, drejtor i Transportit dhe Trafikut Rrugor.

Kaos apo jo, ajo që po ngjet në rrugët e kryeqytetit është një situatë që nuk mund të zgjasë. Të paktën jo për 12 muaj, aq sa bashkia paralajëmroi se do të zgjasin punimet në sheshin kryesor të kryeqytetit.

Top Channel