Gjykata Administrative, Qeveria: Ligj i ri; do tërheqim paditë

07/09/2016 00:00

Ka 16 vjet në kërkim të së drejtës së tij, por ende nuk e ka gjetur. Një 77-vjeçar këmbëngul që shteti t’i japë pensionin e duhur si inxhinier dhe pas gjyqeve civile prej  korrikut  2014 përfundoi në Gjykatën Administrative të Apelit.

“Dokument pas dokumenti derë më derë dhe pastaj më thanë hidhe në gjyq. Edhe këtu kam dy vjet dhe nuk e kam marrë të drejtën akoma sepse nuk është bërë gjyqi fare”, thotë paditësi, Syria Molla.
 
Të njëjtin problem kanë edhe mbi 12 mijë qytetarë apo subjekte biznesi, fati i të cilëve ndodhet në dorën e 13 gjyqtarëve, edhe këta të dekretuar së fundmi pas situatës së krijuar.

Gjykata Administrative u krijua pikërisht për të eleminuar vonesat në procese dhe rritjen galopante të çështjeve të pazgjidhura. Por pasi mijëra çështje kaluan automatikisht nga Gjykata e Lartë tek ajo Adminsitriave, situata është alarmante.

Në të tillë situatë, përfaqësuesi i ekzekutivit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë pranon se shtimi i numrit të gjyqtarëve nga 7 në 13 nuk rezultoi të ishte çelësi i duhur që do të mund të zhbllokojë stokun e dosjeve.

“Nuk është efektive që të bëjmë edhe 100 gjykatës, sërish nuk është kjo zgjidhja”, thotë ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit këshillon një zgjidhje praktike: trupës gjyqësore t’u bashkangjiten ndihmës ligjorë shtesë.

“Çdo gjyqtar ka mbi 1 mijë çështje në dorë që presin në dorë për t’u gjykuar. Gjykata sot asistohet vetëm nga një gjyqtar dhe një ndihmës ligjor. Kërkesat tona kanë qenë të vazhdueshme që të shtohet numri i ndihmëve ligjorë për shkak se ata lehtësojnë punën dhe shtojnë produktivitetin e gjykatës”, thotë kreu i Apelit të Administratives, Kastriot Selia. 

Qeveria po mendon që një pjesë e padive të rikhehen në Gjykatën e Shkallës së Parë.

“Në një farë mënyrë të korrigjojmë edhe atë që vendim të Gjykatës së Lartë, që do të thotë mosmarrëveshjet e punës, pra gjykimet për shkak të Kodit të Punës duhet të jenë në gjykatën civile sepse ka të bëjë me dëmshpërblim. Një propozim unë e bërë dhe dua të them që kam gjetur mirëkuptimin e ministrit Klosi që të paktën çështjet e pensioneve të tërhiqet shteti”, deklaron ministri Manjani.

Volumi i dosjeve është i madh, aq sa edhe zyrat e Gjykatës Administrative të Apelit janë përshtatur si magazinë për të ruajtur ato. Aty gjen dosje të vitit 2015 për të cilat është hedhur shorti, por nuk janë tërhequr nga gjyqtarit për shkak të ngarkesës.

Top Channel