Olli: Aferat e Veliaj futën në kaos trafikun në Tiranë

07/09/2016 00:00

Kryetari i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli reagoi pas “situatës alarmante” të krijuar nga trafiku këtë pasdite në qendër të kryeqytetit.

Ai deklaroi se abuzimet e kryetarit Erion Veliaj me fondet publike, ngutja për të investuar nga një kompani e cila ka fituar pa garë të drejtën për të ndërhyrë në qendrën e Tiranës, shkaktuan kaosin pranë sheshit Skënderbej.

“Për fat të keq, sot Erion Veliaj i tradhtoi sërish qytetarët e Tiranës dhe besimin që i dhanë. I urdhëruar nga kryeministri i vendit, tutori i tij politik, i cili njëkohësisht është kryetari de facto i bashkisë së Tiranës, nisi planet ogurzeza për sheshin Skënderbej, që tashmë po vihen në zbatim. 4 milionë euro do t’i kushtojë shqiptarëve ky trill i Edi Ramës dhe ndërkohë trojet publike do të grabiten si sipër ashtu edhe nën sipërfaqen e tokës”, deklaroi Olli.

Ai ka theksuar se, në këtë shesh do të bëhet ndërtimi i kullave dhe i parkimit nëntokësor, që do t’i shërbejë sipas tij vetëm interesave të pushtetit.

“Nuk  mund të shkojë më keq se kaq. Mafia e betonit me ngut nisi punimet, duke shkaktuar sot një kolaps të jashtëzakonshëm. Në fund të fundit ç’lidhje kanë të drejtat dhe detyrimiet që ka Erjon Veliaj dhe kryeministri Rama ndaj qytetarëve”, tha Olli.

Top Channel