Reshjet, Shkodra në alarm; Bashkia ndërhyn për pastrimin e kanaleve

07/09/2016 00:00

Reshjet e shiut dhe stuhia që përfshiu dy ditë më parë qytetin e Shkodrës, ku u desh të ndërpritej dhe ndeshja Shqipëri-Maqedoni, ka risjellë në vëmendje këtë prag vjeshtje përmbytjet që mund të shkaktohen nga reshjet. Për më tepër, kur bëhet fjalë për Shkodrën, qytet i cili  pesë vite më parë kaloi një permbytje masive.

Kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi shprehet se pavarësisht se zona e Shkodrës mbetet e rrezikuar nga përmbytjet për shkak të pozicionit gjeografik, është duke u punuar maksimalisht në pastrimin e kanaleve kulluese.

“Në dy muajt e fundit janë pastruar 15 mijë metër kub, në 5 mijë metër linear kanale në të cilat kishte 25 vite pa u ndërhyrë. Ndërsa në qytet është ndërtuar 600 metër kanal i ri ujëmbledhës në bashkëpunim më qeverinë shqiptare”, deklaroi Ademi.

Përsa i përket gjendjes së hidrovoreve, Ademi tha se pavarësisht se ato nuk janë në vartësi të Bashkisë së Shkodrës nga informaconet e deri tanishme rezulton se janë në gjendje të mirë.

Në të njënjtën kohë, Ademi theksoi se bashkëpunimi me shtabet e emergjencave, si në prefekturë ashtu dhe në qendër mbetet bashkëpunues. Ndërkohë, problem sipas kryebashkiakes paraqesin disa zona si njësia vendore Dajç, Bërdic e rrethina.

Top Channel