Luftëtari në Superiore, përballja e parë e gjirokastritëve, sot me Partizanin

07/09/2016 00:00

Pas emocioneve që na dhuroi ekipi Kombëtar, me fitoren ndaj Maqedonisë dhe një ndeshjeje të luajtur në dy ditë, futbolli ngjitet në skenën e kampionatit kombëtar.

Nga sot merr rrugë edicioni 78-të kampionatit te futbollit shqiptar, ku ka një skuadër që merr pjesë për herë të parë në këtë garë, që është Korabi i Peshkopisë.

Ndërsa, Luftëtari rikthehet pas 4 sezonesh në Kategorinë Superiore. Skuadra gjirokastrite do të nisë sezonin 2016/2017 me përballjen me nënkampionët e Shqipërisë të Partizanit. Nën drejtimin e trajnerit serb, Mlladen Milinkovic, Luftëtari ka pësuar shumë ndryshime duke afruar elementë të rinj si Bojom, Satanjo apo Andreas montero.

Sipas teknikut Milinkovic, pritet që këta futbollistë të japin një ndihmesë në arritjen e objektivit të skuadrës së Luftëtarit që është qëndrimi në Superiore.

“Do të përpiqemi të jemi një skuadër e fortë. Jemi pak vonë me përgatitjet e futbollistëve të huaj dhe nuk patën fatin ti provonim në ndeshje miqësore, por kampionati është i gjatë dhe pas 4 apo 5 ndeshjeve të para ti kemi të gjithë në formë. Do të japim më të mirën që Luftëtari të jetë edhe sezonin e ardhshëm mes ekipeve më të mira”, shprehet Milinkovic.

“Do të japim maksimumin të gjithë. Deri tani gjithçka është bërë në maksimumin e punës dhe të seriozitetit”, thotë futbollisti i Luftëtarit, Ergys Merfini.

Luftëtari në këtë fillim sezoni po përballet me problemin e stadiumit që do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni, që parashikon vendosjen e një fushë të re si dhe atë të stolave të rinj në shkallët e stadiumit, gjë që do të detyrojë skuadrën gjirokastrite të luajë disa prej ndeshjeve të kampionatit në “Loni Papuçiu” të Fierit.

Top Channel