Gara për universitetet, të rinjtë në protestë; Top Channel heton problemin

07/09/2016 00:00

Një grup maturantësh kanë protestuar para Kryeministrisë duke kundërshtuar skemën e re të pranimit të studentëve, pasi ndonëse kanë mesatare të lartë nuk kanë fituar.

“Mesatarja ime është 9.57 dhe 3 degët që unë kisha shumë dëshirë që të fitoja ishin, Informatikë Ekonomike, Inxhinieri Informatike dhe Inxhinieri Telekomunikacioni, ndërkohë që unë nuk kam fituar dhe jam renditur shumë poshtë”, shprehet një prej konkurrenteve.

“Mesatarja ime është 9.3. Unë kam zgjedhur degët e mjekësisë dhe disa degë të ekonomikut dhe nuk rezultojë fituese në asnjë prej tyre”, shprehet një tjetër konkurrente.

Top Channel i mori tre maturantët dhe i çoi për përgjigje në Ministrinë e Arsimit. “Arsyeja është se ke zgjedhur degë shumë të kërkuara, ku ka shumë konkurrencë dhe mesataret janë shumë të larta. Për shkak të mesatares ka fituar ai që është më i miri”, sqaroi Plarent Ndreca, sekretar i përgjithshëm i ministrisë.

Ka maturantë të cilët janë djegur për shkak se lëndët me zgjedhje ku ata kanë patur mesatare të lartë, nuk kanë qenë prioritet i degëve ku kanë aplikuar.

“Unë e kam mesataren 9 dhe kam aplikuar në degën e gazetarisë. Janë favorizuar nxënës, të cilët kanë dhënë në provimin me zgjedhje lëndë që janë shumë të thjeshta si Sociologji dhe Psikologji. Unë kam dhënë Matematikë dhe kam dalë shumë poshtë. Përpara meje kanë dalë nxënës që kanë pasur mesatare më të ulët dhe në lëndët e dhëna provim kanë marrë notë më të ulët se mua”, shprehet një maturant.

“Maturantët duhet ta kishin marrë në konsideratë që në këto institucione të arsimit të lartë, ku një grup lëndësh të papreferuara nga ana jote t’i shmangësh për shkak se ke risk më të madh që ta fitosh atë degë”, thotë Ndreca.

Në Ministrinë Arsimit sqarojnë se skema e re u jep mundësi të gjithëve për studime të larta në varësi të meritës. “Për shkak se fituesi paraprak mund të jetë i njëjti person në më shumë se një degë, por sigurisht që ai do të zgjedhë vetëm një dhe mundësitë e tjera janë të gjitha aty për maturantët që vijnë poshtë. Raundi i dytë nuk zgjat pasi nuk do të ketë riaplikim, por mbushje të kuotave të mbetura bosh. Procesi do të jetë automatik dhe i shpejtë”, shprehet Ndreca.

Janë gjithsej 35 mijë kuota për studentë të rinj në shkollat e larta publike dhe jo publike, ndërkohë që janë 27 mijë aplikime. Vetëm në sistemin publik përllogariten 24 mijë kuota.

Denoncimi i PD, Top Channel heton rastin

Partia Demokratike ka denoncuar ndërkohë rastin, sipas saj, më flagrant të mosfunksionimit të sistemit, atë të një vjaze me medalje ari.

“Kjo është reforma e Edi Ramës, që hedh poshtë mundin, talentin, punën e madhe, studimet e disa viteve, me një të rënë të lapsit. Si rasti i maturantes nga Shkodra me medalje ari, fituese e olimpiadave kombëtare, e cila e sheh sot veten jo-fituese në cdo universitet që ka aplikuar. Apo maturantja e përlotur në zyrën e ministres së Ramës, Linditës anti-dije, anti-arsim, që i ndërpret paturpësisht dhe fjalën”, deklaroi kryetari i PD, Lulzim Basha.

Opozita ka vënë në dispozicion edhe një portal për denoncimet: http://www.pd.al/trego-rastin-tend/.

Top Channel u interesua në Ministrinë e Arsimit në lidhje me maturanten nga Shkodra, Arsela Zyberi, që sipas kreut të opozitës është privuar nga studimet e larta edhe pse me medalje ari.

Por burime nga ministria thonë se maturantja Zyberi nuk ka fituar medalje ari pasi do t’i duhej të kishte të gjitha notat 10 në  shkollë të mesme dhe në provimet e fundit të maturës shtetërore.

Zyberi ka marrë pjesë në një olimpiadë të lëndës së letërsisë ku ka dalë në vend të dytë. Por mësohet se ajo ka aplikuar për të gjitha degët e Univeristetit të Mjekësisë, ku fituesit kanë pasur një mesatre më të lartë se 9.8.

Ndërkohë që Arsela Zyberi rezulton ta ketë mestaren e maturës shtetërore 8.97 dhe  mesatren që sherbente si kriter 9.44.

Top Channel