Eddi Murphy, si kurrë më parë në “Mr. Church”

07/09/2016 00:00

Ai është legjendar si komik. Të qeshurave, në filma të tillë si “Beverly Hills Cop”, “Trading Places” dhe “48 Hours” ku interpreton ai, nuk i reziston dot.

Ndaj, shumë prej adhuruesve të Eddie Murphyt kanë mbetur disi të çuditur, kur mësuan se idhulli i tyre i hareshëm do të tregojë anën e tij serioze në dramën “Mr. Church”. Në fakt, i befasuar nga roli i ofruar ka mbetur edhe vet aktori.

“Më gjeti të papërgatitur, çfarë t’iu them? Zakonisht nuk marr propozime të tilla”, tha Eddie Murphy.

Në filmin me regji të Bruce Beresford, Murphy interpreton rolin e Henry Church, një kuzhinier dhe kujdestar që zhvillon një marrëdhënie të mrekullueshme me Charlotten, vajzën e vogël të cilën e ndihmon të mbledhë parà, pasi nëna e saj u sëmur e zuri shtratin.

“U përshtat shumë shpejt me pjesën. E ka goxha të mirë sensin e rimit. Shpeshherë më duhet t’iu them aktorëve: kështu është ngadalë, duhet pak më shpejt. Ndërsa ai më befasoi me shpejtësinë e saktë që ka për çdo gjë, dhe për mprehtësinë që tregon në zbërthimin e karakterit të personazhit”, tha Bruce Beresford, regjisor.

Edhe pse “Mr. Church” e sjell në një rol serioz, Murphy nuk ka hequr dorë nga komedia dhe është duke punuar me Arnold Schwarzenegger e Danny DeVito, për një film të ri të këtij lloji “Triplets”.

Top Channel