KE, seancë për Turqinë. Bushati, bisedime edhe për reformën dhe pronat

07/09/2016 00:00

Zhvillimet në Turqi me tentativën e dështuar të grushtit të shtetit dhe mbështetja ndaj popullit turk dhe autoriteteve të zgjedhura demokratikisht në atë shtet, kanë qenë në fokus të seancës së posaçme të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.

I pranishëm në këtë aktivitet, ministri Bushati vlerësoi dhe inkurajoi veprimet e autoriteteve legjitime turke për të rivendosur rend dhe qetësi në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, kreu i diplomacisë shqiptare u takua dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshilit të Europës, Thorbjorn Jagland, ku u ra dakord për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi.

Po ashtu, një tjetër çështje e diskutuar ishte dhe ajo e pronave, ku Sekretari i Përgjithshëm shprehu angazhimin për të vijuar mbështetjen e këtij procesi. 

Ministri Bushati u takua po ashtu dhe me Komisionerin Johannes Hahn në prag të Këshillit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, që do të mbahet të enjten në Bruksel, për të vlerësuar ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë. Komisioneri Hahn vlerësoi miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtësi dhe atë të ligjit për “vetting”-un, çka dëshmon vullnetin e qëndrueshëm politik për të avancuar në këtë proces.

Top Channel