Serbia: S’na bezdis heqja e vizave për Kosovën. Por kemi një kusht!

07/09/2016 00:00

Qeveria e Serbisë nuk shqetësohet nëse shtetasit e Kosovës udhëtojnë pa viza nëpër Europë, mirëpo brengosëse për të është pajisja me pasaporta e serbëve, të cilët jetojnë në Republikën e Kosovës.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Aleksandër Vuçiçit, në një përgjigje për “Indeksonline” thotë se, kushti kryesor për heqjen e vizave për Kosovën është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Institucioni, të cilin e drejton Marko Gjuriç, shprehet se zyrtarët europianë dhe amerikanë kanë nënvizuar qartësisht se themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është njëri prej kushteve për marrjen e liberalizimit të vizave.

“Pas kësaj, Beogradi pritet të marrë një zgjidhje nga BE-ja, përmes së cilës qytetarët në ‘Kosovë dhe Metohi’ me pasaporta serbe nuk do të jenë të përjashtuar nga procesi i liberalizimit të vizave dhe të klasifikuar si qytetarë të klasit të dytë. Serbët nga ‘Kosova dhe Metohia’ nuk duhet të vihen në një gjendje, në të cilën të mund të jenë të shantazhuar, ose të nënshtruar ndaj presionit për të marrë pasaportat e Kosovës së vetëshpallur të pavarur, në mënyrë që të mund të udhëtojnë pa viza”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Top Channel