Takimi i Thaçit me Papën shkakton panik në Beograd

07/09/2016 00:00

Vizita e presidentit Thaçi në Vatikan dhe takimi i tij i dytë brenda një kohë të shkurtër me Papa Françeskun ka shkaktuar panik në Serbi. Shumica e mediave atje, janë marrë këtë të mërkurë me vizitën dhe paralajmërimin e Thaçit se Papa pritet të vizitojë shumë shpejt Kosovën.

Edhe kësaj radhe, mediat e kontrolluara nga shërbimi inteligjent serb – siç shkruan Telegrafi, – kanë vazhduar një ofensivë mediatike kundër Kosovës.

E përditshmja serbe, e kontrolluar nga shërbimi serb “Informer”, shkruan se presidenti Thaçi ka bërë gati 10 milionë euro për të “korruptuar” bashkëpunëtoret e Papës, që ai të njohë shtetin e “rremë të Kosovës”, siç e quan gazeta.

“Hashim Thaçi, presidenti i shtetit të rremë Kosova, dhe njeriu që në raportin e Këshillit të Sigurimit të Europës është i etiketuar si individi që merrej me tregtinë e organeve njerëzore, i ka bërë gati 10 milionë euro ‘cash’, me të cilat do të provojë të lobojë në Vatikan për njohjen e pavarësisë”, thotë gazeta “Informer”, duke cituar një burim anonim.

Me deklaratën e presidentit Thaçi, se Papa Françesku do të vizitojë Kosovën, është marrë edhe kreu i Kishës Ortodokse serbe, Irinej.

Për gazetën “Kurir”, ai ka thënë se nuk ka dijeni që Papa Fraçesku do të vizitojë Kosovën dhe se do ta njohë pavarësinë e saj, siç ka pohuar presidenti kosovar Hashim Thaçi.

“Mbetet të shohim çfarë do të bëjë Papa Françesku, sepse deri më tani ka pasur një tjetër bisedë me ne. Vatikani nuk e ka njohur Kosovën, se paku deri tani. Dhe këtë paralajmërimin se do të shkojë në Kosovë, ndoshta e shkruajnë vetëm shqiptarët”, ka thënë Irinej.

Sipas tij, kisha serbe nuk ka ende qëndrim sesi do të veprojë, në rast se Vatikani njeh pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, pas takimit të Thaçit me Papa Françeskun, nuk ka munguar as reagimi i presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç.

“Mendoj se ai është një njeri që bashkon shumë njerëz dhe fe në botë, por është këmbëngulës në qëndrimin për të mos e njohur Kosovën”, ka thënë ai.

Ndërkohë, e përditshmja “Danas” shkruan diçka tjetër. Sipas saj, kreu i Kishës Katolike e pranoi ftesën e presidentit Thaçi për të vizituar Kosovën.

“Papa ka pranuar një ftesë nga Aleksandër Vuçiç dhe nga Hashim Thaçi. Kisha Ortodokse serbe nuk ka kundërshtime ndaj vizitës”, ka thënë një burim ndërkombëtar për “Danas”.

Top Channel