Raundi i ri i dialogut, Mustafa-Vuçiç takohen në Nju Jork në fund të shtatorit

07/09/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në fund të shtatorit në Nju Jork, në atë që pritet të jetë një raund i ri i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Megjithatë, nga zyra e shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini, e cila edhe ndërmjetëson bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës, nuk ka një datë të caktuar për mbajtjen e dialogut në nivel kryeministrash, gjë që e konfirmon edhe agjencia e lajmeve “Tanjug”.

Ndërkaq, burime diplomatike në Bruksel thonë se, së bashku me dialogun në nivel teknik, ka kontakte edhe në nivelin më të lartë në të dy anët, dhe se një raund i ri dialogu mes kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës do të mund të caktohet pas përfundimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që do të mbahet në mes të shtatorit në Nju Jork, e ku do të marrë pjesë kryeministri serb Aleksandar Vuçiç.

Top Channel