Kushtetuta e Kaçanikut, Thaçi: Do të nderohet përjetësisht; Veseli: Kyç për çlirimin

07/09/2016 00:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar 26-vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Thaçi ka shprehur se kjo është dita e unifikimit të plotë së popullit kosovar. Ai ka siguruar se, Kushtetuta e Kaçanikut dhe delegatët e saj do të nderohen përjetësisht.

“Kur kujtojmë pas 26 viteve, 7 shtatorin e vitit 1990, ditën kur deputetët e ish-Kuvendit të Kosovës e thanë fuqishëm edhe njëherë se Kosova nuk do ta duronte më diskriminimin, kujtojmë edhe unifikimin e plotë të popullit tonë për Kosovën Republikë. Kushtetuta e Kaçanikut, si akt i rëndësishëm dhe guximi i delegatëve do të nderohen përjetësisht. Sot ne kemi shtetin tonë. Duhet ta forcojmë atë dhe ta integrojmë së bashku në familjen europiane”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social “Facebook”.

Në të njëjtin rrjet ka shkruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se miratimi i Kushtetutës së Kosovës, më 7 shtator 1990 në Kaçanik, ishte moment shumë i rëndësishëm në rrjedhën e historisë së Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

“Deklarata kushtetuese e 2 korrikut dhe Kushtetuta e 7 shtatorit përgatitën kushtet juridike, që pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Kosova të lëvizte drejt platformës së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të pavarur dhe sovran. Përgëzoj të gjithë delegatët e atëhershëm, të cilët bënë atë që kërkonte koha dhe momenti, duke realizuar përgjegjësinë historike dhe vullnetin e popullit për liri e pavarësi”, tha kryeparlamentari Veseli.

Top Channel