“US Open”, Djokoviç shkon në gjysmëfinale. Deri tani, thjesht “piknik”

07/09/2016 00:00

Novak Djokoviç duket se po “shëtit” në fushat e “Flushing Meadoës” në Nju Jork, gjatë turneut “US Open”.

Numri një i botës për meshkuj në tenis u kualifikua për në gjysmëfinale, pas një tjetër ndeshjeje të lënë përgjysmë nga kundërshtari i tij, për shkak të problemeve fizike. Këtë radhë, ai që u tërhoq nga sfida me Djokoviç ishte Jo-Wilfried Tsonga, gjë që ndodhi kur rezultati ishte 2-0 me sete për tenistin serb.

Në gjysmëfinale, Djokoviç do të përballet me francezin Gaël Monfils, i cili eliminoi në çerekfinale bashkëkombasin e tij, Lucas Pouille, me rezultatin 3-0.

Në kampin e femrave, Angelique Kerber dhe Caroline Wozniacki u kualifikuan për në gjysmëfinalet e “US Open”. Tenistja gjermane mundi Roberta Vincin me rezultatin 2-0. Seti i parë ishte i rivalizuar dhe Kerber e fitoi 7-5. Në setin e dytë gjermanja e shkatërroi rivalen e saj, duke e fituar atë 6-0.

Ndërsa Wozniacki mundi në çerekfinale Sevastovën 2-0, me letonezen që e luajti këtë sfidë me probleme fizike. Danezja nuk lëshoi pè në lojën e saj dhe i mbylli setet 6-0 dhe 6-2.

Top Channel