Rama: Ka ardhur koha për të rindërtuar Teatrin Kombëtar

07/09/2016 12:25

Në 60 vjetorin e krijimit të TKOB, kryeministri Rama dhe ministrja e Kulturës prezantuan projektin për rikonstruksionin e tij, i cili parashikon ndryshimin e këtij institucioni pas rreth një viti.

Krahas TKOB, do të rindërtohet edhe Teatri Kombëtar, ndërsa ka nisur faza e dytë për kthimin e ish-laboratorit të Hidroteknikës në një teatër të ri alternativ. Kryeministri sqaroi se ky mjedis do të jetë një alternativë më shumë për kryeqytetin, por nuk do të zëvendësojnë TKOB dhe as Teatrin Kombëtar.

“Është koha për të rindërtuar edhe Teatrin Kombëtar, i cili është në një vend kyç dhe është mirë të mbetet aty. Ëndrra për të pasur më në fund një teatër kombëtar të dramës dhe të komedisë të rindërtuar me të gjitha parametrat që e bëjnë një teatër të jetë bashkëkohor do të bëhet realitet”, u shpreh kryeministri Rama.

Investimi ka kushtuar 8.5 mln ero, ndërsa për paragjykuesit, siç i quan ai, Kryeministri e ka këtë përgjigje.

“Në asnjë vend ku nuk ka teatër, ku nuk ka muze, ku nuk ka stadium, ku nuk ka jetë kulturore e sociale, nuk ka as bukë. Do të ishte një bisedë e gjatë nëse është buka që sjell artin apo është arti që sjell bukën. Investimet në artë dhe në kulturë janë patjetër edhe investime në ekonomi”, tha kryeministri.

Sipas studios “Atelier 4”, projekti i ri do të sjellë risi në akustikë, do të ketë panele druri për të mos humbur kësisoj zërin si edhe ambiente me moderne e bashkëkohore, duke u mbështetur në modele të suksesshme si: Opera e Milanos e Vjenës, etj.

Top Channel