SHBA, Trump merr mbështetjen e 88 ish-ushtarakëve të lartë

07/09/2016 00:00

Plot 88 ish-krerë ushtarakë i kanë dhënë Donald Trumpit mbështetjen e tyre në zgjedhjet e nëntorit përmes një letre të hapur, mes të cilëve janë edhe 4 gjeneralë e 15 oficerë të lartë.

Grupi, i organizuar nga gjeneral-major Sidney Shachnow dhe kundëradmirali Charles Williams, e vlerëson lart kandidatin republikan dhe deklaron se zgjedhjet e vitit 2016 i ofrojnë popullit amerikan mundësinë e shumënevojitur për t’i hyrë një kursi të vonuar korrigjimi, sa i takon gjendjes dhe politikave të sigurisë kombëtare.

Letra përmban edhe emrin e gjeneralit me 4 yje në pension, Burwell Bell, i cili komandoi trupat amerikane në Kore nga viti 2006 deri në tërheqjen e tij në vitin 2008. Dallon sidomos një paragraf me referime ndaj retorikës së Trumpit, që lejon mundësinë e përhapjes së armëve bërthamore në rajonin Azi-Paqësor.

Si ish-drejtues të lartë në ushtrinë amerikane, – thonë nënshkruesit, – ne besojmë se një ndryshim i tillë mund të bëhet nga dikush që nuk është thellësisht i përfshirë dhe gjerësisht përgjegjës për gërryerjen e ushtrisë sonë, e për kërcënimet e shtuara me të cilat përballet Amerika në mbarë botën. Për këtë arsye, zgjedhim kandidaturën e Donald Trumpit për të qenë komandant i ardhshëm i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.

Ushtarakët ishin në mënyrë të veçantë kritikë ndaj mënyrës sesi admnistrata “Obama” ka menaxhuar çështjet e sigurisë kombëtare dhe ato të politikës së jashtme, duke i shtuar pakënaqësisë së hapur edhe paralajmërimin se armiqtë janë bërë më të guximshëm dhe ndiejnë dobësi në Uashington, një kombinim ky sipas tyre me potencial të lartë rrezikshmërie.

Top Channel