Moti i keq ka shkaktuar të paktën katër të vdekur dhe dëme të mëdha materiale në 24 orët e fundit në Greqi.

Një grua invalide ka humbur jetën në një fshat në Peloponez nga përmbytjet e shkaktuara prej reshjeve të dendura te shiut. Edhe në Kallamata, ku ka rënë brenda një ore 140 milimetra shi dhe në  shumicën e shtëpive është ndëprerë furnizimi me energji elektrike, dy të moshuar janë gjetur të vdekur në shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjeve, ndërsa edhe një banor i prefekturës së Lakonisë ka humbur jetën.

Në mbi 200 shtëpi është nevojitur ndërhyrja e zjarrfikësve dhe organet vendore pritet të shpallin gjendje të jashtëzakonshme për këtë prefekturë, ku edhe rruga nacionale është bllokuar në disa vende nga niveli i ujit.

Në Selanik, shërbimi zjarrfikës ka marrë mbi 150 thirrje urgjente nga banorë të cilëve u janë përmbytur shtëpitë, ndërsa në lagjen periferike të Agjias Triadhas, zjarrfikësit kanë shpëtuar mbi 24 persona, automjetet e të cilëve ishin bllokuar nga përmbytjet.

Një 53-vjeçare konsiderohet e humbur në qytezën Nea Mihanjona, ku dëme kanë pësuar edhe disa shtëpi të emigrantëve shqiptarë që jetojnë aty. 

Reshje të shumta të shoqëruara me erëra te fuqishme dhe me breshër duke shkatërruar shumë kultura bujqësore, janë regjistruar edhe në shumë zona të Thesprotisë, sidomos në vendet turistike në Sivota dhe Parga, por edhe në ishujt e detit Jon në Korfuz, Zakintho dhe Kefaloni.

Sipas meteologëve, moti i keq do të vazhdoje edhe në orët e ardhshme.

Top Channel