Britani, rritet numri i fëmijëve shqiptarë që kërkojnë azil

07/09/2016 00:00

Ministri britanik i Emigracionit ka konfirmuar se Britania do të ndërtojë një mur të lartë në qytetin francez të Calais (Kalèsë) në kuadër të planeve për të frenuar valën e pandalshme të emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në Britani.

Muri disa metra i lartë do të ketë një gjatësi prej 1 km dhe do të jetë masa më e fundit antiemigracion, në një sërë syresh, i cili do të kushtojë dy milionë stërlina. Ky lajm vjen, ndërkohë që konfirmohet zyrtarisht se numri i fëmijëve që kanë mbritur në Britani gjatë vitit 2016 ka shënuar një rritje prej 62 për qind, sipas autoriteteve lokale që kujdesen për fëmijët e pashoqëruar.

Sipas të dhënave të publikuara nga BBC, grupi më i madh janë djem të moshës 16 dhe 17-vjeçare, që vijnë më së shumti nga Afganistani dhe Eritrea, ndërsa të tretët në listë janë fëmijët e pashoqëruar shqiptarë. Nëse nga Afganistani kërkuan azil 876 fëmijë, nga Shqipëria numri kap shifrën e 706 fëmijëve, krahahasuar me 148 nga Siria.

Zonja Luljeta Nuzi, drejtuese e shoqatës “Shpresa Programme” në Londër, që përmes projekteve të posaçme merret shumë me kujdesin e fëmijëve të pashoqëruar shqiptarë, thotë se këta fëmijë përballen me vështirësi të shumta.

“Jo rrallë ata kanë probleme me shkollat dhe policinë dhe kjo vjen si rezultat i sistemeve të panjohura për ta, si ai i edukimit, emigracionit, punësimit dhe shërbimeve sociale”, shprehet Nuzi.

Shumica e fëmijëve të pashoqëruar qëndrojnë në Britani deri në moshën 18-vjeçare, e nëse në ato raste që nuk fitojnë azilin dhe nuk janë ndaluar nga autoritetet e emigracionit, një pjesë mjaft e madhe nisin të punojnë në të zezë.

Top Channel