Ndotja, pasoja edhe për trurin e njeriut

07/09/2016 00:00

Mushkëritë nuk janë i vetmi shqetësim, që duhet të kenë banorët e qyteteve të ndotura. Studimet më të fundit tregojnë se, grimcat e njohura si magnetite, të prodhuara nga motorët e mjeteve apo zjarret, mund të hyjnë në trurin e njeriut.

Magnetitet janë toksike për trurin – thotë Barbara Maher, profesoreshë e shkencave mjedisore në Universitetin e Lancasterit, – dhe pjesëza të tilla janë gjithmonë të pranishme në një mjedis të ndotur.

Bëhet fjalë për një formë minerale të hekurit, e cila besohet të jetë toksike për shkak të aftësisë së vet për të reaguar shpejt e për të lëshuar grimca të tjera, të njohura si radikalet e lira, që nga ana e tyre dëmtojnë qelizat e trurit.

Ndonëse prova të qarta për një pohim të tille nuk ka, mendohet se pjesëzat e oksidit të hekurit mund të kontribuojnë në sëmundje të tilla të rënda si Alcajmeri. Zbulimi, i përshkruar si shokues nga autorët e studimit, ngre pyetje të reja mbi rreziqet shëndetësore që burojnë nga ndotja e ajrit.

Deri më tani, shumica e kërkimeve të këtij lloji fokusoheshin te pasojat e ajrit të papastër mbi mushkëritë dhe zemrën. Studimi i ri tregon se grimcat e ndotjes e gjejnë rrugën për të depërtuar deri në tru.

Në fillim të vitit, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi mbi rrezikshmërinë e lartë të ndotjes, që sipas saj po bëhet shkaktare për 3 milionë vdekje të parakohshme çdo vit.

Top Channel