Zgjedhjet në UEFA, Villar tërhiqet nga gara për president

07/09/2016 00:00

Angel Maria Villar tërhiqet nga gara për presidencën e UEFA-s, me zgjedhjet që janë parashikuar të zhvillohen javën e ardhshme. Konfirmimi u dha nëpërmjet një deklarate për shtyp të Federatës Spanjolle të Futbollit, ku mban postin e presidentit.

“Pavarësisht se gjeta shumë mbështetje për të vazhduar fushatën, pas një reflektimi të gjatë vendosa që të tërheq kandidaturën time”, njoftoi Villar.

66-vjeçari, i cili është zv.presidenti i parë i UEFA-s dhe mori detyrën e presidentit të përkohëshëm përpara organizimit të Kampionatit Europian, tha se vendimi lidhet me kërkesën që të kandidojë sërish për postin e presidentit të Federatës Spanjolle.

“Një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të futbollit spanjoll më kanë kërkuar që të vazhdoj punën për vendin tim, duke paraqitur sërish kandidaturën në zgjedhjet e muajit të ardhshëm”, shtoi Villar.

Megjithatë, sipas mediave të ndryshme ndërkombëtare, ky vendim lidhet me faktin se federatat më të mëdha europiane, si Gjermania, Italia, Franca dhe Rusia kanë shprehur hapur mbështetjen për Aleksandar Ceferin.

Presidenti i Federatës Sllovene është një nga dy kandidatët e mbetur në garë për postin më të lart drejtues të UEFA-s, me Asamblenë Zgjedhore që do të mbahet të mërkurën e ardhshme në Athinë, ku do të ketë përballë homologun holandez, Michael van Praag.

UEFA do të emërojë pasardhësin e Michel Platini, i cili është përjashtuar 4 vjet nga futbollit për korrupsion. Ish-legjenda franceze u rizgjodh në krye të Konfederatës Europiane në vitin 2015 dhe fituesi i zgjedhjeve aktuale do të përmbushë mandatin e Platini, që përfundon në vitin 2019.

Top Channel