Këshilli i OKB-së dënon testet e Veriut. Kërkohen masa ndëshkuese

06/09/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut patën një qëndrim të përbashkët kur kërkuan këtë të martë nga Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara të dënojnë lëshimin e raketave balistike nga ana e Koresë së Veriut, si dhe të ndërmarrë të tjera masa për të detyruar zbatimin e urdhrave të saj për ndaljen e testimeve bërthamore e raketore.

Tri vendet thirrën një mbledhje urgjente me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurisë, në kundërpërgjigje të veprimit të vendit të izoluar komunist, teksa një ditë më parë lëshoi 3 raketa balistike që fluturuan për rreth 620 milje (1.000 km) e më pas ranë në ujërat e administruara prej Japonisë. Më pas, duke qëndruar krah për krah, ambasadorët e këtyre tri vendeve folën edhe për reporterët.

Ambasadorja amerikane Samantha Power tha se “Këshilli i Sigurisë duhet të mbetet i paekuivok dhe i bashkuar në ndëshkimin e këtyre testimeve, ndaj dhe ne duhet të ndërmarrim masa për të detyruar zbatimin e atyre fjalëve që kemi shkruar në letra, pra zbatimin e rezolutave tona”.

Koreja e Veriut testoi raketat në kohën kur Kina po organizonte samitin ekonomik të G20-s, – tha më tej ajo, – duke treguar edhe njëherë “shpërfilljen e hapur” nga Veriu komunist të sanksioneve të OKB-së, detyrimeve ndërkombëtare të saj, si dhe “dëshirën për të provokuar dhe kërcënuar komunitetin ndërkombëtar pa u ndëshkuar”.

Power shtoi gjithashtu se Koreja e Veriut ka kryer 22 lëshime raketash deri më tani gjatë këtij viti, ndërsa më të fundit shkuan deri aty sa “ishin 300 km larg brigjeve të Japonisë”. Me secilin prej këtyre testeve, – tha më tej ajo, – Koreja e Veriut po tregon avancimin e mëtejshëm të programit të saj për raketat balistike, qëllimi i të cilave sipas udhëheqësit të vendit, Kim Jong-un, është “të armatosë sistemet me armë bërthamore”.

Ambasadori i Japonisë në OKB, Koro Bessho tha kishte mbetur i inkurajuar nga fakti që në takimin e Këshillit të Sigurisë “pati një shfaqje edhe më të fortë të unitetit”, dhe se “të gjithë anëtarët dënuan lëshimin e raketave në nivelet më të ashpra”.

Testimet, jo vetëm që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Japonisë, por rajonin dhe përtej tij, – tha ai duke theksuar se, – raketat ishin lëshuar pa një paralajmërim të mëhershëm dhe se ato mund të kishin goditur avionët apo anijet.

Bessho tha se Japonia dëshiron që Këshilli të konsiderojë marrjen e masave të mëtejshme, ato të mundshme, “në unanimitet, unitet” të plotë dhe me synimin për të sjellë ndryshime në sjelljen e Koresë së Veriut.

Ndërkohë, zv.ambasadori i Koresë së Jugut në OKB, Hahn Chong Hee tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i bashkuar në dërgimin e mesazhit të “qartë dhe të paekuivokë ndaj Koresë së Veriut, se nëse vijon të provokojë dhe të shkelë angazhimet dhe sanksionet e ndërkombëtarëve, do të përballet me antimasa shumë herë më të forta dhe të pakapërcyeshme nga komuniteti ndërkombëtar”.

Se çfarë masash do të ndërmarrë Këshilli i Sigurisë mbetet të shihet, pasi shumëçka varet prej Kinës, fqinjit dhe aleatit më të madh të Koresë së Veriut, edhe pse marrëdhëniet mes tyre janë lëkundur disi prej testimeve bërthamore e raketore të kohëve të fundit, të cilat shumë të jashtëm i konsiderojnë si provokime.

Ambasadori kinez në OKB, Liu Jieyi u shfaq i irrituar kur mori vesh lëshimin e raketave gjatë samitit të G20-s, ndërsa tha për reporterët në dalje të takimit se “Këshilli do të punojë edhe mbi tekstin e deklaratës për shtyp”.

Top Channel