“Oxford” e “Cambridge” hapin dyert edhe për të varfërit

06/09/2016 00:00

Universitetet më të mira britanike, si ai i Oxfordit dhe Cambridge-it, kanë ndryshuar politikën e pranimit të stundentëve. Studentët e vitit të ri akademik nuk vijnë vetëm nga shtresa elitare e shoqërisë, apo nga shkollat e shtrenjta private.

Këtë vit, rreth 59% e studentëve britanikë që janë pranuar në “Oxford” vijnë nga shkolla shtetërore, përqindja më e lartë në 40 vitet e fundit. “Ne kemi bërë përparim me kalimin e viteve”, tha drejtoresha e pranimeve universitare Dr. Samina Khan.

Fushata e Oxfordit për të inkurajuar aplikantët që vijnë nga zonat e pafavorizuara po jep frytet e para, por duket se atë e pret një rrugë e gjatë. Vetëm 7% e nxënësve britanikë arsimohen në shkollat private të Britanisë, por ata kanë zënë të paktën 40% të vendeve në “Oxford”.

Këta persona vijnë përgjithësisht nga familje të pasura dhe janë të prirur për të paguar tarifa të larta shkollore. Këta duket se janë të preferuarit e arsimimit të quajtur me nofkën “Oxbridge”. Edhe rivali më i madh i “Oxford”-it, Universiteti i Kembrixhit ka hapur këtë vit dyert për 62% të studentëve, të cilët vijnë nga shkollat shtetërore.

Minimalisht, një vit shkollor në këto universitete, që renditen në 10-shen më të mirë të botës, kushton 9.000 paund. Megjithatë, një studim i fundit i bazuar në 260 mijë të diplomuar britanikë tregon se diploma nga këto universitete të famshme nuk garanton të ardhura të larta. Ata që vijnë nga familje të pasura kanë tendencën të fitojnë në mënyrë të konsiderueshme më shumë parà, sesa të diplomuarit e tjerë që vijnë nga familje më të varfëra.

Top Channel