Fituesit në Universitete, në UT janë 19 mijë

06/09/2016 00:00

Në Universitetin e Tiranës nga 90 mijë aplikime janë shpallur fitues 19 mijë studentë të rinj në raundin e parë, ndërkohë që për shkak se maturantët kanë patur të drejtë zgjedhjeje në 10 programe dhe mund të kenë fituar disa, pritet të ketë vende bosh.

“Mbi 30 përqind e kuotave të Universitetit të Tiranës ngelen mbosh për raundin e dytë, ku secili prej kandidatëve ka të drejtë të bëjë sërish aplikimin dhe është e njëjta procedurë”, thotë rektori i UT, Mynyr Koni.

Në Universitetin e Mjekësisë janë shpallur 800 fitues në këtë raund, por sipas Rektorit  Arben Gjata janë pranuar studentët me mesatare shumë të mirë sa në mjekësi mund të mos fitosh as me mesatare 9.8.

“Niveli më i ulët që kanë fituar në Universitetin e Mjekësisë, nëse do të bëjmë një mesatare sipas VKM, i bie 9.67. Mund të jesh me mesatare 9.8, madje edhe me 9.9 dhe të mos pranohesh në mjekësi”, deklaron rektori i këtij universiteti, Arben Gjata.

Deri më datën 11 vijon procesi i ankimimit  dhe më pas nis procesi i regjistrimit. Por opozita ka kritikuar skemën e re të pranimit të studentëve.

“Maturantët që përpëliten dyrve të universiteteve nuk kanë asnjë përgjigjie se përse nuk janë fitues, megjithëse rezultatet i kanë të larta”, deklaroi Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma.

Ministria e Arsimit ka hedhur poshtë akuzat e Dumës duke i kërkuar maturantëve të jenë të vemëndshme për të aplikuar në raundin e dytë.

“Është një skemë që mbështetet në një sistem elektronik transparent, konkurrues, një metër për të gjithë maturantët dhe njësoj për të gjitha shkollat publike dhe private”, u përgjigj zv.ministri i Arsimit, Redi Shtino.

Top Channel