Dibër, kandidati i majtë, takime në Ushtelenzë dhe Peshkopi

06/09/2016 00:00

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Dibrës, Muharem Rama zhvilloi takimet elektorale në fshatin Ushtelenzë dhe në lagjen Dobrovë të qytetit të Peshkopisë.

Në fjalën e tij para banorëve të Peshkopisë, kandidati Rama premtoi se me fitoren e 11 Shtatorit do të mund të fillojë të vërë në jetë projektet për zhvillimin urban, investimet në infrastrukturë, krijimin e hapësirave të gjelbra, pastrimin, por edhe rigjallërimin e jetës kulturore e artistike.
 
“Ashtu siç kam qenë shërbëtori juaj gjatë punës së përditshme në spital, ashtu do të jem edhe në bashki. Do t’i keni dyert e hapura dhe unë do të jem në shërbimin tuaj për vitet e ardhshme”, u shpreh kandidati Rama.

Ndërkaq, në takimin e mbajtur në fshatin Ushtelenzë, koordinatori i PS-së për Qarkun Dibër, Damian Gjiknuri tha se Partia Demokratike bën propagandë me premtime që nuk kanë lidhje me zgjedhjet e pjesshme lokale.

“Ne vijmë ballëlartë. Kemi zgjedhur një njeri të shkëlqyer, që i ka shërbyer popullit. Garancia më e mirë për qytetarin e parë tuaj është karakteri i njeriut. Jeta ju ka mësuar me shumë eksperienca. Vendosini përballë njerëzit dhe shikoni cili është njeriu që i ka shërbyer njerëzve në nevojë?! Cili është njeriu që nuk e ka braktisur Dibrën?!”, theksoi Gjiknuri.

Top Channel