17-vjetori i Policisë së Kosovës, Thaçi: Shembull për tërë rajonin

06/09/2016 00:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në 17-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës ka thënë se ajo është kthyer në një forcë që simbolizon më së miri vizionin për Kosovën. Këtë të martë, ai ka kujtuar sukseset e Policisë së Kosovës, por edhe sakrificat e saj.

“Është një forcë multietnike, me përfaqësim gjithnjë e më të mirë gjinor, me standardet më të larta të profesionalizmit, shembull për Kosovën dhe tërë rajonin”, është shprehur Presidenti Thaçi.

“Si sot 17 vite më parë janë hedhur themelet e një prej institucioneve më të suksesshme të shtetit të Kosovës, Policisë së Kosovës. Nga 176 policë, që përbënin gjeneratën e parë që përfunduan trajnimin në Shkollën e Policisë në Vushtrri, sot Policia e Kosovës është rritur në një trupë që mbulon tërë Kosovën dhe u shërben të gjithë qytetarëve të vendit anekënd, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre”.

Thaçi tha gjithashtu se Shkolla e Policisë në Vushtrri ka vazhduar të trajnojë policët e Kosovës sipas standardeve më të larta.

“Në këtë ditë kujtojmë sukseset e Policisë së Kosovës, por edhe sakrificat e saj. Jo pak policë kanë rënë në krye të detyrës. Kujtimi për ta do të jetojë gjithmonë dhe do të jetë motiv për të ndërtuar një forcë të policisë dhe një shtet siç i dëshirojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u urojmë ditën e tyre, 6 shtatorin, dhe u themi se jemi krenarë me ju”, përfundoi Thaçi.

Top Channel