“Kortezhi”, ekuivalenti i “Bishës”

06/09/2016 00:00

Putin do të jetë përfituesi i parë i një limuzine luksoze të krijuar nga rusët, gjatë vitit të ardhshëm. Ai pritet të marrë në zotërim mjetin e njohur me emrin “Kortezh” apo “Cortege” deri në fund të vitit 2017.

Limuzina është e ngjashme me “The Beast”, automjeti i blinduar i përdorur për transportin e Presidentit amerikan, Barack Obama, nëpër vizitat zyrtare. Por ndryshe nga “The Beast”, “Kortezhi” do të jetë i disponueshëm për publikun duke nisur nga viti 2018.

Autoblindi do të prodhohet në versionet “SUV”, “limo”, “sedan” dhe “minivan”. Ajo do të ketë dyer 10 herë më të trasha sesa përmasat mesatare të dyerve të një automjeti, ndërsa do të ketë edhe sistem të brendshëm të furnizimit me oksigjen, sipas asaj që bën të ditur “Venas News”.

Versione të kësaj supermakine do t’i shtohen edhe flotës së automjeteve zyrtare të Rusisë për zyrtarë dhe politikanë të niveleve të larta.

Vetëm pak më herët, nga Moska u raportua se automjeti me të cilin lëviz zakonisht Presidenti rus, Vladimir Putin, u përfshi në një aksident të tmerrshëm rrugor, gjatë të cilit shoferi i preferuar i kreut të Kremlinit ka mbetur i vdekur në vend pas përplasjes ballore, e regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë në rrugë.

“BMW”-ja presidenciale ishte duke udhëtuar në sheshin “Kutuzovsky” të kryeqytetit rus, kur një Mercedes doli nga korsia tjetër e rrugës dhe u përplas kokë më kokë me të. Autoambulancat mbërritën menjëherë në vendngjarje, por viktima ende e paidentifikuar, i cili kishte më shumë se 40 vite eksperiencë si shofer, ndërroi jetë menjëherë.

Makina presidenciale ishte regjistruar zyrtarisht se i përkiste Këshillit të Federatës, ekuivalenti rus i Shtëpisë së Lordëve në Britaninë e Madhe. Policia ka nisur hetimin e shkaqeve të kësaj përplasjeje, pasi që tani janë ngritur dyshime mbi sigurinë e kryeministrit rus, kur ky i fundit udhëton me automjetet e tij zyrtare.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel