Albano marton të bijën, por mungon…Loredana

06/09/2016 00:00

Martesa e Cristel Carrisit me miliarderin kroato-kilian, Davor Luksiç, ka pushtuar njoftimet kryesore të botës së “gossip”-it dhe spektaklit, por ka edhe një aspekt tjetër që ka tërhequr vëmendjen, më shumë sesa fotot me vello, ato të festës, të personazheve “VIP” të njohur, etj.

Ishte pikërisht mungesa e Naike Rivellit dhe Loredana Leccisos, e para ish-e dashura e vëllait Yari, ndërsa e dyta ish-partnerja e Albano Carrisit.

Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka folur për mungesën e Leccisos në një intervistë të dhënë për të përjavshmen “Oggi”, që do të publikohet ditën e mërkurë.

“Akordi mes personave lind spontanisht dhe nuk mund të imponohet. Gjithmonë varet nga sjellja dhe qëndrimi që mban ndaj gabimeve të të tjerëve. Unë shpesh i harroj, ndërsa ka edhe të tjerë që nuk munden t’i harrojnë”, thotë Albano.

Loredana Lecciso, e pyetur edhe ajo nga e njëjta e përjavshme, kishte bërë të ditur se e kishte marrë ftesën, por nuk dëshironte të kompromentonte klimën festive të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. “Ajo është dita e saj më e lumtur”, është shprehur Lecciso.

E duke lënë mënjanë thashethemet, martesa e së bijës Cristel ka qenë për Albanon një ditë tejet speciale.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë të emocionohesha kaq shumë. Të tilla janë emocionet, të kaplojnë pikërisht atëherë kur mendon se ke gjithçka nën kontroll. Kam qarë nga gëzimi, sepse vetëm në atë moment kuptova se gjithçka do të ndryshonte. Se ai çast ishte një fillim i ri për familjen tonë, që ime bijë po krijonte nga ai moment një jetë të sajën, një jetë të re”, rrëfehet këngëtari me origjinë shqiptare.

Sigurisht, pas këtij gëzimi, Albano nuk mundet të mos mendojë për nipin apo mbesën…

“Mezi po pres të bëhem gjysh”, thotë ai.

Ceremonia e martesës është zhvilluar më 3 shtator në kishën e “San Matteos” në Lecce, në orën 18, që u pasua nga pritja në fermën e shekullit të XVIII “La Mea”, pjesë e kompleksit nën pronësinë e Albano Carrisit.

Top Channel