Basha: Nga Dibra nis  bashkimi i madh i shqiptarëve kundër bandës së hajdutëve në pushtet

06/09/2016 00:00

Kandidati për kryetar bashkie në Dibër, Sherefedin Shehu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilluan takim me banorë të fshatrave Kandërr, Kishavec, Vakuf, Borovjan, Deshat. Kandidati Sherefedin Shehu theksoi se për Dibrën është një fyerje e madhe  ardhja e ministrave që s’kanë asnjë lidhje me Dibrën dhe deputetët e saj nuk duken në fushatë.

“Pse vjen Damian Gjiknuri dhe kapardiset me atë çantën krahë e qafë?! Ai ka ardhur për të studiuar kur mund të bëjë hidrocentralin tjetër. Sepse njërin e ka projektuar atje dhe prisni se do t’ju përmbysen tokat këtu. Se ai vetëm këtë punë di të bëjë bashkë me Ramën dhe Arben Ahmetajn dhe me gjithë të tjerët”, tha Shehu.
 
Duke parashtruar programin për bashkinë, Shehu tha se ofrimi i shërbimeve që nga pastrimi, sistemimi i rrugëve dhe kanalet vaditëse do të jenë prioritet. Bashkia i ka të gjitha mundësitë, por nuk ka vëmendjen për t’u shërbyer qytetarëve: “Largimi i mbeturinave është detyra e parë që do të kryejë bashkia nesër. Dibra nuk e meriton që të jetë e papastër sepse bashkia është mbyllur në kullë atje në Peshkopi. Përveç largimit të mbeturinave, projekti më i rëndësishëm do të jetë projekti i kanalizimeve”.
 
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se në tre vite kjo qeveri ia ka shtuar hallet shqiptarëve: “Ekonomia është përkeqësuar, varfëria është shtuar, papunësia po ashtu, ndërkohë që të vetmit që pasurohen çdo ditë me pasuritë publike të këtij vendi janë pushtetarët dhe miqtë e tyre. Kjo është arsyeja që nga jugu në veri ka nisur një bashkim i madh i shqiptarëve, përtej ngjyrave politike, për të larguar bandën e Edi Ramës”.
 
“Kjo është shenjë e një bashkimi të madh. Një bashkimi të madh që i tejkalon vijat politike dhe që bëhet sepse shqiptarët e kanë kuptuar se ata që kemi sot mbi krye nuk e meritojnë emrin qeveritar apo qeverisës. Janë një bandë sunduesish, hajdutësh dhe kriminelësh të cilët për popullin kanë vetëm tre alternativa; varfërinë, burgun ose emigracionin. Dhe se gjithçka ky vend ka e duan për vete”, shtoi Basha.

Top Channel