Kina vetëlavdërohet me organizimin e samitit të G20-s

06/09/2016 00:00

Kina është vetëlavdëruar me organizimin e suksesshëm të samitit të G20-s në Hangzhou, duke konsideruar si sukses faktin që konfrontimet e hapura janë shmangur përgjithësisht dhe arritjen e një konsensusi të gjerë mbi gjendjen e brishtë të ekonomisë globale, si dhe nevojën për ndërmarrjen e një sërë politikash për ta përmirësuar atë.

Madje, gjatë tij ka pasur edhe një njoftim të përbashkët nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimeve klimatike të arritur në Paris, një hap domethënës për dy ndotësit më të mëdhenj të botës me emetimet e gazrave serrë.

Megjithatë mosmarrëveshje të pashfaqura ka pasur dhe mbledhja e udhëheqësve më të fuqishëm të botës nuk shkoi në tërësi ashtu siç ishte planifikuar. Duke nisur që nga tërheqja e vëmendjes nga testi raketor i Koresë së Veriut e deri te dështimi i Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për arritjen e një marrëveshjeje mbi Sirinë.

Media shtetërore kineze, edhe pse ngrohet disi me lavdinë e një samiti që gjatë mbajtjes së tij nuk u mbizotërua nga mosmarrëveshje si ajo për detin e Kinës Jugore, shfaqi gjithashtu edhe irritimin e Pekinit ndaj përpjekjeve të Perëndimit për të penguar ambiciet ekonomike të tij.

“Vendet me ekonomitë më të zhvilluara të botës duhet të frenojnë rritjen e proteksionizmit dhe të çmontojnë masat antitregtare, pasi izolimi ekonomik nuk është një zgjidhje për rritjen e ngadaltë”, shkroi agjencia zyrtare e lajmeve kineze “Xinhua” në orët e vona të së hëës.

“Në mënyrë që të ndërtojnë një ekonomi botërore gjithëpërfshirse, të bazuar në rregulla dhe të hapur, proteksionizmi duhet të parandalohet nga gërryerja e themeleve, për një rikuperim ekonomik më të shpejtë dhe më të shëndetshëm”.

Gjatë përgatitjeve për samitin e G20-s, Kina ka qenë veçanërisht e irrituar ndaj asaj që e konsideron si dyshim të pajustifikuar mbi axhendën e saj të investimeve të jashtme, e ndikuar nga proteksionizmi dhe paranoja. Vetëm pak javë përpara samitit, Australia bllokoi shitjen prej 10 miliardë dollarësh të rrjetit më të madh energjetik në vend te një ofrues kinez, ndërsa Britania shtyu një projekt kinez investimi bërthamor prej 24 milionë dollarësh.

Ndërkohë, në prapaskenë, vendet perëndimore akuzojnë Kinën se nuk po u përmbahet objektivave të saj. Përpara samitit, burime nga pjesëmarrësit europianë të G20-s hodhën dyshime nëse axhenda kineze do të shënonte vërtet një kapitull të ri në krijimin e një rritjeje më të qëndrueshme të ekonomisë globale.

Top Channel