“Kujtesa e ujit”, premiera e këtij sezoni teatror

06/09/2016 00:00

Tre motra që mblidhen në një shtëpi të përmbytur për funeralin e nënës së tyre dhe që shndërrohen në peng të së shkuarës. Kjo është historia ku mbështetet subjekti i komedisë së zezë që do të çelë sezonin në Teatrin Kombëtar.

“Kujtesa e ujit”, me regji nga Rozi Kostani, është vepra e autores angleze Sheila Stefanson dhe do të interpretohet në skenë nga Rajmonda Bulku, Olta Daku, Violeta Banushi Trebicka, Jonida Vokshi, Neritan Liçaj dhe Marin Orhanasi.

“Vijnë tre motra në një ngjarje të rëndë, siç është funerali i mamasë, dhe jetët, pengjet dhe të shkuarat e tyre përplasen”, shprehet Rozi Kostani.

Gjithçka ka marrë jetë pasi autorja Stefanson zbuloi një studim i cili përforconte idenë që uji përforcon kujtesën dhe emocionet.

“Çdo gjë do të jetë në tonalitete të rrjedhëta sepse këto personazhe për mua kanë mbetur peng i së shkuarës”, shpjegon Kostani.

Sipas regjisores, ndërthurja e komedisë në këtë vepër me tragjiken është elementi që e kthen shfaqjen në intriguese. Por, mbetet për t’u parë se si Kostani do t’i qaset “Kujtesës së ujit”: “Jam përpjekur që me aktorët të mos bëj punë abuzuese në emër të komedisë”.

Premiera do të vijë në 15 shtator.

Top Channel