Sadiku: Më shumë iu gëzova golit të Balajt

06/09/2016 00:00

Armando Sadiku, autori i golit të vetëm të Shqipërisë në kampionatin Europian dhe autor i golit të parë në ndeshjen ndaj Maqedonisë, është shprehur pas takimit në “Loro Boriçi”, se më shumë është gëzuar për golin e dytë të shënuar nga Balaj se për golin e tij.

“Jam në formë të mirë. Kam luajtur disa ndeshje me ekipin dhe jam mirë fizikisht. Jam i lumtur me golin që shënova dje, por sot u gëzova më shumë sepse ishte goli i tre pikëve. Ishte gol më i rëndësishëm se goli im. Ne po bëjmë punë të mirë, jemi të bashkuar”, ka thënë Sadiku pas ndeshjes.

Sulmuesi tha se lojtarët ishin pak të stresuar për situatën e krijuar në këtë ndeshje.

“Kishim pak stres për shkak të situatës që u krijua. Dje kemi pasur ndeshjen nën kontroll dhe nuk donim të humbnim tre pikë pasi luajtëm në shtëpi”, shtoi ai.

Top Channel