De Biasi: Fitorja më lumturon, jemi me 3 pikë si Spanja e Italia

06/09/2016 00:00

De Biasi e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme fitoren në minutat e fundit ndaj Maqedonisë me golin e shënuar nga shkodrani Bekim Balaj, për ecurinë e mëtejshme në këto kualifikuese.

“Nuk ishte e vështirë ta motivoja skuadrën sepse vinim nga një pjesë e parë e mirë dhe pjesa e dytë ku nuk dolëm në lojën tonë dhe ramë në kurthin e tyre. Për fat të mirë gjetëm këtë gol. Unë shpresoja që të rigjenim golin me goditje standarde. Kjo fitore na lumturon sepse jemi në kuotën e 3 pikëve si Spanja dhe Italia”, tha De Biasi.

Në vijim, trajneri pohoi se askush nuk e priste që Maqedonia të transformohej në pjesën e dytë, ndërsa e pranoi se rreshtimi i kundërshtareve me 5 mbrojtës të deklaruar, e detyroi të ndryshonte formacionin 60 minuta përpara startit.

“Kemi lojtare të aftë për të luajtur edhe nga krahët me Agollin e Lenjanin dhe Hysajn e Roshin. Mund të luajmë me çdo modul që duam, por skuadra duhet t’i interpretojë në mënyrën më të mirë. Ne duhet të mësojmë të përshtatemi gjatë ndeshjes sepse Maqedonia luajti këtu me 5 mbrojtës”.

Teksa ka folur për grupin G ku bën pjesë Shqipëria, De Biasi e ka vlerësuar ata si mjaft të vështirë duke qenë se do të kemi si kundërshtarë Spanjën dhe Italinë, por ka theksuar se sfidat më të vështira për Shqipërinë do të jenë ndaj Izraelit, Lihtenshteinit dhe Maqedonisë, ndeshja e mbetur.

Top Channel