Korçë, ndërron jetë 23-vjeçari i plagosur në një lokal nate

06/09/2015 00:00

Shtetasi Marsel Osmani, i cili u dhunua barbarisht në një lokal nate në Dishnicë të Korçës rreth një javë më parë, ka ndëruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se Osmani, 23 vjeç dhe banues në Korçë, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ishte duke marrë ndihmë mjekësore të specializuar.

Ai mbeti i plagosur rëndë në ngjarjen e ndodhur më 29 gusht, në lokalin e shtetasit Olsi Zyberi. Mes tyre nisi një grindje për motive banale lidhur me një femër dhe 41-vjeçari Zyberi e goditi viktimën me shkop bejzbolli, duke e plagosur rëndë.

Edhe pse i riu u nis drejt Spitalit të Traumës pas pak ditësh, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. I dyshuari si autor, Olsi Zyberi u arrestua në flagrancë nga policia menjëherë ditën e ngjarjes dhe tani pritet që akuzat ndaj tij të rëndohene dhe më tepër.

Top Channel