FA, ndihma për fëmijët italianë të prekur nga tërmeti

06/09/2015 00:00

Gratë dhe vajzat, ushtarake e civile të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, kanë ndërmarrë një nismë në ndihmë të fëmijëve të prekur nga tërmeti i para disa ditëve në Itali.

Të mbështetura nga vetë ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ato kanë ndërgjegjësuar gjithashtu të gjitha njësitë apo repartet e FA për të lehtësuar sadopak gjendjen e vështirë të cilën ata fëmijë po kalojnë.

Në një aktivitet ku ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo, gratë dhe vajzat kanë dorëzuar ndihmat e mbledhura për këta fëmijë.

Në fjalën e saj, ministrja Kodheli e konsideroi këtë nismë si të jashtëzakonshme për të ndihmuar sadopak fëmijët italianë.

“Është edhe një shenjë e bujarisë së qytetarëve shqiptarë në përgjithësi, por e FA në mënyrë të veçantë, për të treguar dhe njëherë jo vetëm anën tonë më të mirë, por që ndërveprimi dhe bashkëpunimi me partnerët tanë nuk është vetëm kur flitet për stërvitje apo për misione të përbashkëta, por është njëkohësisht edhe në gjërat e vogla. Sigurisht që kjo është simbolike, por njëkohësisht dhe aq domethënëse e emocionuese”, tha Kodheli.

Nga ana tjetër, ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo e konsideroi këtë nismë si një gjest mjaft domethënës dhe falenderoi kontribuesit e saj.

Top Channel