Studimi mbi merkaton, Higuain e Pogba u mbivlerësuan

06/09/2016 00:00

Gonzalo Higuain është futbollisti më i mbivlerësuar në merkaton e transferimeve. Ky është përfuindimi i arritur nga një studim i CIES Football Observatory që ka përllogaritur diferencën mes vlerës së transferimit dhe asaj reale të kartonit të lojtarëve.

Sipas CIES, vlera reale e Higuain ishte 66.3 milionë euro, ndërkohë që ai u transferua te Juventusi për 90 milionë euro që do të thotë se Napoli përfitoi nga shitja e tij 23.8 milionë euro.

I renditur në vendin e dytë përsa i përket raportit mes vlerës së shitjes e asaj të kartonit të futbollistit është Bailly për të cilin Manchester United pagoi 38.4 milionë euro, ndërkohë që vlera e lojtarit ishte 14.9 milionë euro.

Një tjetër futbollist tejmase i vlerësuar ishte edhe Kevin Gameiro i cili i kushtoi Atletiko Madrid 37 milionë euro, kur kartoni i tij kishte një vlerë prej 14.5 mln euro.

Në listën e futbollistëve më të mbivlerësuar në merkato është edhe Pogba, për të cilin Manchester United kanë paguar 15.3 milionë euro më shumë se vlera reale e kartonit të futbollistit.

CIES ka përcaktuar edhe klubet që kanë bërë në total shitjet më të mira sigurisht duke marrë parasysh vlerën e kartonit të lojtarëve dhe atë të transferimit. Në këtë pikë është Sevilla që dominon falë shitjeve të Kricoviak, Gameiros, Imobiles, Jorentes dhe Kokes.

Këta futbollistë u shitën nga andaluzianët për 94.4 milionë, ndërkohë që vlera e kartonit të tyre nuk shkonte më shumë se 59.5 milionë euro që do të thotë se Sevilla ka siguruar një përfitim prej 34.9 milionë eurosh.

Top Channel