Përvjetori i LSI-së, Meta ‘Presidencial’, flet për konsensus e gjithëpërshirje

06/09/2015 00:00

Ilir Meta ishte në shkollën 9-vjeçare të Farkës për 12-vjetorin e partisë që ai drejton që nga themelimi i saj.

Deputetët dhe zyrtarët më të lartë të LSI zbritën në terren të martën, në shërbim të komunitetit. Shoqëruar nga ministri Panariti, kryetari Meta bëri shkurt një bilanc të 12 viteve të partisë së tij.

“Mendoj se LSI ka treguar me vepra që është një forcë politike e veçantë, e cila nuk krijon probleme, por zgjidh probleme. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për politikën shqiptare në përgjithësi. Pra, duhet t’i orientojë energjitë e saj drejt zgjidhjes së problemeve, sepse vendi ka mjaft probleme të trashëguara dhe probleme të reja që imponohen edhe nga faktorë dhe rrethana ndërkombëtare, pra ekonomike, të sigurisë”, deklaroi Meta.

E me të njëjtën frymë pozitive, Ilir Meta foli edhe për koalicionin bashkëqeverisës me Edi Ramën, që ka hyrë tashmë në vitin e fundit.

“Kjo frymë bashkëpunimi është brenda koalicionit dhe jashtë koalicionit me të gjithë faktorët politikë e shoqërorë, sepse bashkëpunimi nuk duhet të njohë kufij. Ndërsa zgjedhjet politike, pozicionet politike, ato u takojnë qytetarëve shqiptarë që t’i vendosin dhe neve t’i respektojmë”, theksoi kreu i LSI.

Ministrat e LSI dhe përfaqësues të kësaj force politike zbritën gjithashtu në terren. Ministri i Mjedisit Lefter Koka ishte në Durrës ku mbolli fidanë për të ndihmuar në gjelbërimin e qytetit.

Luan Rama ishte në Berat, ku bashkë me LRI ndërmorrën një aksion për pastrimin e kalasë. Petrit Vasili ishte në Fier e Lushnje, ndërsa Klajda Gjosha u ndal në Pogradec, në aktivitetet sociale të organizuara atje.

Top Channel