Rriten kreditë e këqija, BSH: Në korrik, huatë me probleme, 21,5 përqind

05/09/2016 00:00

Të dhënat zyrtare e tregojnë se kreditë e këqija u rritën me 1.5 pikë për qind në korrik duke shënuar nivelin më të lartë që prej një viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga 19.96 për qind e totalit që ishin në qershor, huatë me probleme kërcyen në 21.5 për qind një muaj më pas. Ky është niveli më i lartë i kredive të këqija që nga qershori i vitit të kaluar.

Niveli i lartë i kredive të këqija cilësohet problemi kryesor i sistemit financiar të vendit, pasi dekurajon bankat të japin kredi të reja për biznesin dhe qytetarët. Vitin e kaluar, me asistencën e Fondit Monetar, qeveria dhe Banka e Shqipërisë hartuan një plan të posaçëm për zgjidhjen e ngërçit të kredive të këqija.

Plani parashikonte një sërë masash për uljen e kredive me probleme,  që nga njohja si shpenzim i zbritshëm e deri tek detyrimi i bankave për të fshirë kreditë problematike me afat mbi tre vjet. Paralelisht u ndryshuan dhe një sërë ligjesh për të forcuar ekzekutimin e garancive bankare.

Gjatë vitit të kaluar zbatimi i planit u shoqërua me uljen e shpejtë të kredive me probleme. Si rezultat, treguesi problematik ra nga 25 për qind që ishte në shtator të 2014-ës në 18.2 për qind në dhjetorin  vitit të kaluar. Por pas dhjetorit, trendi është përmbysur dhe kreditë e këqija kanë filluar të rriten sërish.

Një javë më parë, në deklaratën e radhës FMN i bëri thirrje autoriteteve që të zgjidhin çështjen e kredive me probleme, duke përshpejtuar masat e mbetura pezull si miratimi i ligjit të ri për falimentin dhe ai për përmbarimin privat.

Top Channel