Obama-Putin, s’ka marrëveshje për Sirinë

05/09/2016 00:00

Ajo që do t’i jepte fund luftës në Siri, pikërisht marrëveshja midis SHBA-ve dhe Rusisë, nuk firmoset dot sepse ekzistojnë hendeqe të mëdha besimi mes dy qeverive. Këtë e ka pranuar vetë Presidenti amerikan Obama.

Lidhur me takimin e tij me Presidentin rus, Vladimir Putin, shefi i Uashingtonit e përshkroi si “të sinqertë, produktiv dhe të hapur”. Obama shtoi se ai ishte fokusuar pikërisht në çështjet e Sirisë dhe Ukrainës. Por, ende nuk ka një marrëveshje të përfunduar midis qeverive.

“Hendeqet nuk janë mbyllur ende. I bëj thirrje shefave të diplomacisë, John Kerry dhe Sergey Lavrov, që të punojnë së bashku në vijim për të marrë rezultatin e dëshiruar”, deklaroi Obama.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe homologu i tij rus Lavrov, deri tani kanë dështuar në krijimin e marrëveshjes së armëpushimit në Siri. Ata kanë negociuar në rritjen e bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve në një përpjekje për të mposhtur terroristët dhe për të parandaluar vdekjen e civilëve.

Sipas burimeve që kërkojnë të mbeten diskrete, dallimet mes dy palëve janë teknike, zyrtarë shtuan se dallimet ishin aq të mëdha sa që Obama dhe Putin nuk mund të negocionin vetë.

Takimi i cili u mbajt në një sallë konferencash ne samitin ku po mbahet G20 zgjati më shumë se sa ishte planifikuar.

Top Channel