Futbollisti me ngjyrë refuzon të këndojë himnin amerikan

05/09/2016 00:00

“Unë nuk mund të këndoj himnin kombëtar. Unë nuk mundem ta nderoj flamurin. Kjo sepse jam një i zi që jetoj në botën e të bardhëve”. Këtë shprehje aktivisti i të drejtave të njeriut në Amerikë, Jackie Robinson e ka shkruar në vitin 1972 në autobiografinë “Unë kurrë nuk ia kam dalë”.

Por retorika e tij është aktualizuar vetëm pak ditë më parë nga qendërmbrojtësi i futbollit amerikan Colin Kaepernick. Ky i fundit ka refuzuar të këndojë himnin gjatë një ndeshje javën e kaluar, duke qëndruar ulur.

Refuzimi i tij është parë si një protestë e heshtur ndaj një vendi që mohon të drejtat e njerëzve me ngjyrë, madje i shkel ato. Protesta e komunitetit me ngjyrë në Amerikë ka marrë përmasa të mëdha pas disa vrasjeve të kryera nga policia.

Madje e parë në kontekstin historik, disa kritikë thonë se disa pjesë të caktuara të himnit kanë përmbajtje “skllavërore”, dhe Kaepernick është një nga të paktët sportistë që ka vënë në pikëpyetje fjalët e tij.

Rituali i të kënduarit të himnit ka qenë gjithmonë një moment ku shfaqej patriotizmi dhe njëherësh protesta. Dy atletët amerikanë olimpike, Tommie Smith dhe John Carlos, në vitin 1968 ngritën grushtet në shenjë nderimi për komunitetin me ngjyrë çka u cilësua si simboli i betejës për të drejtat civile në Amerikë.

Kritikat vërshuan menjëherë ndaj Smith dhe Karlos. Tani me ta, u bashkua dhe qendërmbrojtësi i Colin Kaepernick, i cili vetëm në vitin 2014 bëri 13 milionë dollarë. Ai është rritur nga prindër adoptivë ndërsa shumë e quajnë Kaepernick si “I llastuari”.

Top Channel