Liberalizim vetëm pas demarkacionit

05/09/2016 00:00

Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) diskutoi këtë të hënë draftin e dorëzuar nga raportuesja speciale për Kosovën për çështjen e liberalizimit të vizave, Tanja Fajon.

Komiteti miratoi me 25 vota pro, 24 dhe dy abstenime kundër raportin e eurodeputetes sllovene, por me një kusht. Komiteti miratoi ngritjen e ekipit negociator me Këshillin, por refuzoi me 24 vota pro dhe 25 kundër nisjen e këtyre bisedimeve për arritjen e marrëveshjes. Komiteti thotë se marrëveshja e lëvizjes së lirë do të ratifikohet vetëm pas plotësimit të kritereve të vendosura nga Bashkimit Europian, mes të cilave është edhe shenjimi i vijës kufitare me Malin e Zi (demarkacioni).

“Unë besoj se heqja e vizave do të përçojë një sinjal të fortë për qytetarët e Kosovës, që të mos humbasin shpresën dhe aspiratat në rrugën drejt integrimit, që shkon përmes reformave”, tha raportuesja Fajon.

Disa përfaqësues të Komitetit kërkuan shtyrjen e votimit, por drejtuesi i seancës nuk e pranoi këtë kërkesë, duke deklaruar se edhe në rast të një votimi pozitiv për Kosovën, vendimi do të hynte në fuqi vetëm kur të plotësoheshin kushtet e vendosura.

Demarkacioni me Malin e Zi ka ndezur klimën politike në Prishtinë. Opozita akuzon qeverinë se po i fal Malit të Zi 8 mijë hektarë tokë, ndërsa qeveria thotë se marrëveshja është e drejtë.

Ratifikimi i marrëveshjes u shty nga Kuvendi çka shtoi zërat kundër liberalizimit të vizave në BE. Para votimit në Komitet, dy raportueset Ulrike Lunaçek dhe Tanja Fajon e cilësuan dështimin e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi në fillim të shtatorit, si keqardhës.

Top Channel