Reshjet, Veliaj mbledh shtabin e emergjencave

05/09/2016 00:00

Parashikimet nga rrjetet meteorologjike vendase dhe të huaja që paralajmërojnë reshje të dendura shiu në vendin tonë, ka detyruar kreun e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, që të ftojë shtabin e emergjencave për të ndarë detyrat për 24 administratorët dhe për të gjitha ekipet lokale të ndihmës, si dhe marrjen e të gjitha masave për përballimin e problematikave që mund të shfaqen gjatë mbrëmjes së sotme dhe ditës së nesërme.

“Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë e ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente që mund të krijohet. Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve nga mbrëmja e sotme, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative”, thuhet në deklaratën e Bashkisë Tiranë.

Gjithashtu, bashkia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, gjatë natës së sotme dhe paradites së nesërme, kur pritet që intensiteti i reshjeve të jetë më i lartë se zakonisht, të shmangin qarkullimin e panevojshëm.

Po ashtu, Bashkia e Tiranës i bën thirrje qytetarëve që jetojnë në zonat rurale, që të marrin masa e të mos frekuentojnë brigjet e lumenjve në zonat që paraqesin rrezikshmëri.

Sipas bashkisë, janë evidentuar edhe rrugët më problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar, si dhe do të ketë në terren, gjatë gjithë natës së sotme, 1200 punonjës dhe mbi 60 mjete, në ndihmë të qytetarëve në rast nevoje.

“Në raste emergjencash, ju lutemi të kontaktoni Bashkinë e Tiranës në numrin 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 112 ose administratorin e njësisë tuaj administrative”, mbyllet deklarata.

Top Channel