Nga data 10 e deri më 12 shtator, “qyteti i serenatave” do të pushtohet nga tingujt e kabasë, duke mirëpritur edicionin e parë të Festivalit “Kaba 2.0”. Kombinuar me polifoninë, “Jazz”-in, “Rock”-un dhe muzikën elektronike, aktiviteti që do të mbahet në Pazarin e Korçës ka gjetur mbështetjen e “Digitalb” dhe Ministrisë së Kulturës.

“Synimi është që të tërheqim publikun e ri, i cili pak e njeh kulturën e trashëgimisë dhe, duke i ardhur kjo në forma bashkëkohore moderne, ne sigurojmë kështu vazhdimësinë e asaj që e kemi monument të gjallë të kulturës dhe që Festivali i Gjirokastrës të mos jetë vetëm një ngjarje që ndodh një herë në 5 vite, por një ngjarje që prodhon një vazhdimësi ngjarjesh nga një festival te tjetri”, tha ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Pianisti Robert Bisha mbledh rreth tij “Brass All Stars”, duke sjellë në skenën e “Kaba 2.0” një eksperiment muzikor.

“Sjell disa pikëvështrime, studime harmonike të miat dhe po i qep me Brassin tonë shqiptar, më i rëndësishmi, që është ‘Fanfara Tirana’. Kjo për mua është nder, sepse janë të gjithë studiues nga njëri aspekt, pra kanë studiuar e lexojnë në krahasim me ‘brand’-e të tjera ballkanike që shkojnë vetëm me vesh. Kam dëshirë në këtë rast të eksperimentoj. Janë dy pjesë të kompozuara dhe disa frangmente të improvizuara”, tha Robert Bisha, instrumentist.

Një tjetër risi e festivalit është edhe fakti se, “Fanfara Tirana” do të prezantojë për publikun shqiptar projektin “Kabatronics”, pas një turneu 3-vjeçar në skenat ndërkombëtare, ndërsa pjesë e aktivitetit do të jenë edhe artistë nga bota, mes të cilëve edhe kantautori italian Vinicio Caposella.

Top Channel