Bien depozitat në banka, BSH: Sistemi është i shëndoshë

05/09/2016 00:00

Për Bankën e Shqipërisë, ulja e depozitave në lekë të individëve nuk përbën shqetësim, pasi është një dukuri afatshkurtër.

“Ne nuk konstatojmë asnjë implikim negativ për shëndetin e sistemit bankar, për aftësinë e bankave për të kryer detyrën e tyre të ndërmjetësimit financiar, pra për të kredituar ekonominë. Qoftë edhe në treguesit e përfitueshmërisë dhe të shëndetit afatgjatë”, tha Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare në BSH.

Krahasuar me një vit më parë, depozitat në lekë kanë rënë me 3.2 për qind. Banka thotë se ky është një zhvillim i natyrshëm, që diktohet nga situata ekonomike dhe rënia e interesave.

“Ajo që ka ndodhur në Shqipëri në vitet e fundit është një interesim në rritje i individëve dhe kursimtarëve drejt letrave me vlerë të qeverisë, instrumenta financiarë që ofrojnë një likuiditet të pranueshëm, por ofrojnë mbi të gjitha edhe një normë më të lartë interesi apo kthimi”, u shpreh më tej Erald Themeli.

Sipas bankës, ulja e interesave edhe për kreditë ka sjellë përfitime jo të vogla për ekonominë, duke filluar nga rritja e kreditimit në lekë.

“Lehtësimi i kredisë në lekë për të gjithë kredimarrësit, qoftë të vjetër apo edhe të rinj, i ka kursyer ekonomisë shqiptare 10 miliardë lekë në vit. Kjo ka dy faktorë pozitivë. Së pari, bizneseve në vështirësi financiare iu mundëson të vazhdojnë të operojnë normalisht dhe të paguajnë detyrimet e tyre ndaj bankave. Ndërsa bizneseve në një gjendje më të mirë e më të shëndetshme, së dyti, u ka kursyer parà që i kanalizojnë në investime apo punësim”, deklaroi Erald Themeli.

Sipas INSTAT-it, në dy vitet e fundit thuajse e gjithë rritja ekonomike ka ardhur nga investimet, ndërsa konsumi ka qenë më i ndrydhur.

Top Channel